Ishte një mbrëmje e shkëlqyer për Realin e Madridit në Champions, nata e fitores së parë në Dortmund në histori në kupat e Europës. Dikur kjo fitore do të vinte, por lumturia e publikut madrilen është e madhe që ngjau sonte. Ishte edhe mbrëmja e Kristiano Ronaldos që, tashmë në rolin e qendërsulmuesit, vazhdon “takimet e shpeshta” me golin. Portugezi realizoi dy herë në “Signal Iduna Park”, ku skuadra e Zinedin Zidanit dha një provë të madhe ndaj një kundërshtari vërtet të mrekullueshëm. Ronaldo ka 110 gola në 148 ndeshje në kupat e Europës (saktësisht në Champions), 12 më shumë sesa Mesi, që e ka nesër radhën e tij.
Gjithsesi, darka e 26 shtatorit ishte edhe e yjeve të tjerë. Mbi të gjithë e Harri Kejnit, sulmuesit të Totenhemit, të cilin klubi londinez do ta ketë të vështirë ta mbajë gjatë. Kejn realizoi 3 gola në fushën e APOEL-it të Limasolit, në Qipro (fitore 3-0), në minutat 39, 62 e 67, duke treguar se është në formë të madhe, dhe se është një nga sulmuesit më të mirë të botës. Dy herë radhazi Këpuca e Artë e Premier Ligës, mund të pretendojë sërish për Këpucën e Artë, edhe në Angli, edhe në Europë (ka 5 gola në Champions). Totenhemi pritet të jetë rivali kryesor i Realit për vendin e parë në grup, ndërsa Dortmund rrezikon eleminimin.
Në grupin G, bie në sy fitorja 3-0 e Portos në fushën e Monakos. Gjysmëfinalistja e vjetshme e Championsit ka humbur shumë me largimin e disa prej lojtarëve më të mirë, ndërsa të ardhurit duan kohë që të përshtaten, edhe me një trajner shumë të mirë si Leonardo Zhardim. Vinsent Abubakar shënoi dy gola në këtë fitore, ashtu siç shënoi dy gola edhe Uisam Ben Jeder i Seviljes ndaj Mariborit në Grupin E. Po në këtë grup, Liverpuli mori një pikë të mirë në fushën e Spartakut të Moskës, 1-1, ku Filip Kutinjo tregoi sërish sesa i rëndësishëm është për ekipin e Klopit.
Mançester Siti vazhdoi me ritmin e lartë të fillimit të sezonit duke thyer në fushën e tij 2-0 Shahtarin e fortë të Donjeckut (De Brujn, Stërling), ndërsa Napoli kaloi 3-1 Fejënordin, me rrjetat e “tre tenorëve” Insinje, Mertens e Kajehon.
Grupi E: Sevilja-Maribor 3-0, Spartak Moskë-Liverpul 1-1. Sevilja 6 pikë, Liverpul 2, Spartak 2
Grupi F: Man. Siti-Shahtar 2-0, Napoli-Fejënord 3-1. Man. Siti 6, Napoli 3, Shahtar 3
Grupi G: Monako-Porto 0-3, Beshiktash-Lajpcig 2-0. Beshiktash 6, Porto 3, Lajpcig 1, Monako 1
Grupi H: Dortmund-Real 1-3, APOEL-Totenhem 0-3. Reali 6, Totenhemi 6, Dortmundi 0.
Sfidanti.al