Champions: Liverpuli dominon Vijarrealin, fitorja 2-0 e afron me finalen

Mund të ketë shumë skenarë, dhe krejt logjikshëm mund të thuhet se një fitore 2-0 nuk është nga ato që e mbyllin një duel me eliminim direkt. E vërtetë, pasi ka ndodhur në të kaluarën, madje ka ndodhur edhe më keq (kujtoni disfatën e Barcelonës në “Anfild”). Gjithsesi, kjo fitore 2-0 e Liverpulit ndaj Vijarrealit në gjysmëfinalen e parë të Championsit në Angli, mund të përmblidhet me dy fjalë: Dominim absolut. Rezultati nuk e shpreh aspak qartë atë që ndodhi në fushë, ndërsa janë statistikat që e pasqyrojnë.

Sundimi i të kuqve ishte kaq i madh saqë shifrat 0-2 duhet të quhen të mira për spanjollët. Anglezët gjuajtën 20 herë drejt portës dhe 5 herë në kuadrat, ndërsa Vijarreali pati 1 gjuajtje gjithsej dhe asnjë në portë!!! Zotërimi i topit ishte 73 me 27 për qind (!!!) dhe kornet 10-2. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop nuk u rrezikua për asnjë moment dhe portieri Alison bëri vetëm një pritje, por pas një gjuajtje pa vlerë sepse u krye në kushtet e pozicionit jashtë loje. Një skuadër e tillë mund të cilësohet me plot gojën fare pranë finale, me një këmbë e gjysmë në finale, nëse në Spanjë nuk ndodh ndonjë ndryshim rrënjësor.

Liverpuli i Klopit ishte një makineri loje, me një presing që nuk pushoi në asnjë moment, që ishte konstant dhe vazhdoi njëlloj edhe pas shifrave 2-0. Një skuadër e tillë duhet pasur parasysh se është madje më e rrezikshme jashtë sesa në “Anfild” dhe i ka fituar të 5 ndeshjet në Champions këtë sezon (Atletiko, Porto, Milan, Inter, Benfika). Fare lehtë mund t’ia dalë edhe ndaj Vijarrealit.

Liverpul-Vijarreal 2-0 (Estupinjan (a) 53’, Mane 55’)

Liverpuli (4-3-3): Alison, Aleksandër-Arnold (Gomez 81’), Konate, Van Dajk, Robertson, Henderson (Keita 72’), Fabinjo, Tiago Alkantara, Salah, Mane (Zhota 73’), Luis Diaz (Origi 81’).

Vijarreali (4-4-2): Ruji, Fojth, Albiol, Pau Torres, Estupinjan (Trigeros Munjoz 72’), Lo Selso, Kapu, Pareho (Orie 72’), Kokelen (Pedraza 57’), Çukvueze (Dia 72’), Danjuma (Alkaser 86’).

Sfidanti.al