Futbolli tregoi edhe një herë se është e kot, madje e rrezikshme, të deklarosh një ekip fitues pa përfunduar gara, madje kur është ende në ndjekje të kundërshtarit. E pagoi Interi këtë gjë, të cilit ndoshta iu mbush mendja nga mediat se ka dalë kampion ende pa e fituar titullin në fushë, ndërsa tani do të marrë të gjitha kritikat dhe opinionistët do të thonë “unë e dija” apo “unë e parashikova”. Asnjëra nga këto nuk është e vërtetë, por zikaltërit e trajnerit Inzagi bënë vërtet një harakiri në fushën e Bolonjës, duke humbur ndeshjen që duhej fituar për të parakaluar Milanin e për të dalë në krye të renditjes. Edhe pse ishte në epërsi 1-0 (Perishiç), edhe pse bëri më shumë sesa vendasit, sërish ekipi i trajnerit Inzagi i lejoi vetes të barazohej nga Arnautoviç e pastaj të falte golin e dytë, për faj të portierit Radu (Handanoviç nuk luajti). Tani duhet quajtur Milani favorit (gjithnjë nëse nuk i bën keq), madje mundet edhe të barazojë ndonjë ndeshje e sërish ta fitojë titullin. Kuqezinjtë kryesojnë renditjen me 74 pikë në 34 ndeshje, Interi ka 72 po me 34 sfida të luajtura.
Sfidanti.al