Në fushë kishte edhe më të rinj si Asensio e Lukas Vaskez, por Zinedin Zidan nuk kishte rrezikuar aspak. Ishte një Real “i armatosur deri në dhëmbë” ai që zbriti në “Bernabeu” për t’u ndeshur me Seltën. E gjitha kjo nuk pati shumë vlerë në çerekfinalen e parë të Kupës së Mbretit. Me Varanin, Ramosin e Marselon në mbrojtje, Modriçin, Krosin e Kasemiron në mesufshë dhe Kristiano Ronaldon në sulm, u mendua se do të kishim një ofensivë të frikshme, sidomos për të shuar kujtimin e humbjes së Seviljes.
E frikshme ishte njëra skuadër, por qëlloi të ishte Selta. Skuadra mike mori një rezultat shumë të rëndësishëm për të synuar kualifikimin në përballjen e dytë në stadiumin e vet, në Vigo. Iago Aspas dhe Xhoni shënuan golat e fitores 2-1, ky i fundit vetëm një minutë pasi Marselo kishte barazuar rezultatin. Të gjitha rrjetat erdhën në vetëm 6 minuta. Nuk bënë punë për Zidanin as aktivizimi në pjesën e dytë i Benzemasë, Moratës dhe Kovaçiçit.
Ronaldo nuk mundi të linte shenjë, edhe pse pretendoi pa të drejtë për një penallti, dhe Reali pësoi humbjen e dytë radhazi. Nuk është eleminuar ende, pasi një skuadër aq e madhe sa ajo e Madridit mund të përmbysë gjithçka në Vigo, por shenjat nuk janë të mira, pas rekordit prej 40 ndeshjesh radhazi pas disfata. Lajmi tjetër i keq ka të bëjë me Karvahalin që do të mungojë gjatë dhe rrezikon të mos jetë ndaj Napolit në Champions.