Një natë më parë ishte Interi që shpërdoroi një avantazh 2-0. Lacio nuk i shpëtoi ritualit të Kupës së Italisë, duke shkuar kot edhe ajo epërsinë me dy gola, por më në fund fitoi. Është bërë interesante kjo kupë me ndeshjet teke (jo më kot e luajnë ashtu anglezët dhe gjermanët) dhe besohet publiku në “Olimpiko” do të jetë kënaqur. Aq më tepër që skuadra e vet fitoi 4-2.
Lacialët ishin në avantazh me golat e Filip Gjorgjeviçit dhe të Uesli Hëtit, ndërsa mes tyre penallti humbi Felipe Anderson. Xhenoa barazoi pikërisht në fund të pjesës së parë, kur shënuan Maurisio Pinija (41’) dhe Goran Pandev (45’). Gjithsesi, Lacio nuk është aq dobët sa të tronditet me kaq. Vështirë e patën edhe Milani, Juventusi dhe Interi, por u kualifikuan. Kështu bëri edhe ekipi i Inzagit. Sergej Milinkoviç-Saviç në 70’ dhe Çiro Imobile në 75’ i dhanë fitoren dhe çerekfinalen që do ta ketë pikërisht ndaj Interit, kurse Milani do të luajë në fushën e Juventusit.