Kur Liverpuli i tij u mbajt në barazim në “Anfild” nga Plimuthi, Jurgen Klop tha shumë sinqerisht se “nuk e di ku bie ky qytet”. Për t’ia treguar, vendasit e pritën trajnerin gjerman me një dhuratë. Nuk ishte ndonjë sahat i shtrenjtë apo këmishë, por një kek tradicional i zonës së Anglisë Perëndimore, ku ishin shkruar fjalët “Jurgen Klop, 293 milje nga Plimuthi në Liverpul”. Njeri me humor, Klop padyshim u kënaq nga e papritura, veprim që u shfrytëzua nga sponsori i Plimuthit, Ginsters, për t’i bërë reklamë vetes, pasi emri i tij ishte stampuar në ambalazhin e kekut.
Jurgen Klop ishte një njeri i lumtur dhe i besohet se i bëri shumë lehtë 293 miljet që e ndanin Liverpulin nga Plimuthi. Kjo pasi goli i vetëm i Lukas Leivës i siguroi fitoren dhe kalimin e turit. Të kuqtë fituan 1-0 dhe trajneri kishte bërë shumë ndryshime në skuadër. Ai u kënaq për brazilianin që kishte dy vjet që nuk shënonte.