A nuk është Çelsi kryesues i Premierit? Jo, nderi i takon Totenhemit

Në anglisht ka një shprehje kur vjen puna për të krahasuar dy boksierë, dhe ajo thotë “pound for pound”, që e shqipërojmë “kilogram për kilogram”. Nuk mundesh të thuash se Vitali Kliçko është më i mirë sesa Manu Pakiao, sepse njëri peshon mbi 100 kg dhe tjetri ndoshta 60, pra gjithçka duhet përpjesëtuar. Po kështu, “kile për kile”, duhet krahasuar edhe suksesi i skuadrave të futbollit, dhe meqë jemi në Angli, le të krahasojmë ato të Premier Ligës.

Në krye të kampionatit, në bazë të asaj që ka shpenzuar, duhej të ishte Totenhemi. Klubi londinez është në vend të dytë sot, por shifrat flasin për një mrekulli, pasi që nga viti 2012 e deri më sot, bilanci blerje-shitje për lojtarët është vetëm … -1 milionë stërlina. Spërs ka shpenzuar 315.45 milionë stërlina, dhe ka shitur 314.45, kuptohet ndihmuar nga 100 milionë eurot që Reali dha për Garet Bejlin.

Në vend të dytë duhej të ishte Liverpuli, që ka bilanc -121.52 milionë stërlina në tregun e futbollit. Të kuqtë kanë shpenzuar 365.6 milionë stërlina dhe kanë fituar 244.08 milionë. Në vend të tretë i takonte të ishte Çelsi me 192.5 milionë stërlina minus. Blerjet kanë qenë të mëdha, 500 milionë stërlina, por edhe “daljet” po ashtu, me vlerë 315.15 milionë.

Arsenali, pavarësisht nga etiketa e “të kujdesshmit” për Arsen Vengerin, do të ishte vetëm i katërti, me 300 milionë stërlina shpenzime dhe shumë pak lojtarë të larguar me fitim. Humbjet e “topçinjve” janë 205.89 milionë stërlina.

Në fund, dy Mançesterët. Junajtid ka -368.65 milionë stërlina bilanc që nga 2012, me 528.8 milionë blerje dhe 160.15 milionë shitje. Pol Pogba, Erik Bejli, Henrik Mkitarian ishin vetëm blerjet e Murinjos. Në vend të gjashtë ndër klubet e mëdhenj duhej të ishte Siti i Guardiolës, me humbje prej 402.55 milionë stërlinash. Plot 565.65 milionë stërlina blerje, 163.1 milionë shitje, me lojtarë të marrë si Kevin De Brujn, Xhon Stouns, Leroi Sane, Rahim Stërling, sa për të thënë disa. Siti, edhe në renditjen reale është poshtë, vetëm në vendin e pestë.

Sfidanti.al