Mund të ketë akuza, mund të ketë gabime, por sezoni në Superligë do të mbahet mend për garën e titullit. Edhe pse Skënderbeu nuk ka luajtur ende me Vllazninë (ndeshje që duhet ta fitojë, normalisht), llogaritë nxjerrin përfundimin se të paktën dy nga rivalët kanë një të përbashkët, secili e ka titullin në dorën e vet. Kukësi dhe Skënderbeu shpallen kampion nëse fitojnë ndeshjet e tyre. Natyrisht, një fjalë goje, pasi do të ketë përballje të tjera direkte, si Kukësi-Skënderbeu dhe Skënderbeu-Partizani, por fakti mbetet.
Që Kukësi të fitojë ndeshjet e veta do të thotë të mundë edhe Skënderbeun, pra ta heqë qafe rivalin. Nëse fiton katër takimet e mbetura heq qafe edhe Partizanin, pasi maksimumi do të dilte barazim me pikë me kryeqytetasit, ndaj të cilëve ka epërsi në ndeshjet direkte.
Nëse Skënderbeu ia del në të pesë takimet e mbetura, do të thotë se do të lerë prapa Kukësin duke e mundur në Kukës, si dhe Partizanin, duke fituar ndaj tij në Korçë. i vetmi që nuk e ka titullin në dorë është pikërisht Partizani, pasi edhe nëse triumfon në të katër përballjet, sërish nuk del dot kampion, nëse Kukësi po ashtu fiton 100 për qind të pikëve.
Gjithsesi, të kuqtë shpresojnë një gjë. Ata e quajnë veten (me të drejtë) si skuadrën që ka luajtur më mirë këtë sezon dhe që nuk ka pasur fat. Ndoshta tani në fund, fati i kthehet për mbarë. Shpresa e madhe është që Kukësi-Skënderbeu të dalë barazim, dhe pastaj Partizani të shkojë në ndeshjen e fundit në Korçë me mendjen e mbledhur, të fitojë dhe të dalë kampion për herë të parë pas 24 vjetësh.
Sfidanti.al