Çfarë i ka gjetur Juven e Ronaldon? Benevento i la pa shpresa për titull

Nuk mund të mendohet që kjo skuadër të rrezikojë vendin në Champions, në Itali nuk ka ndodhur thuajse kurrë, përveçse gjatë “kalçopolit” dhe disa vjet pas tij, por përsa i përket titullit duket se i ka larë duart. Juventusi pësoi një dështim të rëndë në Serinë A, duke humbur me Beveneventon në shtëpi apo siç shkruajnë mediat sportive “doli me kocka të thyera” ndaj ekipit të Filipo Inzagit. SuperPipo i bëri një dhuratë Antonio Kontes, që e pranoi me qejf ndërsa Interi i tij është i “ngujuar” nga Kovidi.

Benevento fitoi 1-0 në “Alianc” dhe goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 69-të nga argjentinasi Adolfo Gaiç. Gjithsesi, miqtë duhet të puthin edhe duart e portierit Montipo që bëri disa pritje pasi “Zonja e Vjetër” bëri presion dhe pati raste. Nuk pati, megjithatë fitore të katërt radhazi në kampionat për kampionët, që janë eleminuar edhe nga Champions. Benevento, që kishte 11 ndeshje pa fitore, e ndërpreu këtë seri pikërisht në sfidën më të vështirë. As Kristiano Ronaldo, as Kulushevski, as Kieza dhe as Morata nuk ishin në gjendje të shënonin.

Juventusi ka 55 pikë në 27 ndeshje, baraz me Atalantën që ka luajtur një ndeshje më shumë, ndërsa nuk është e sigurt që sfida në Torino me Napolin do të fitohet me patjetër. Interi mban kreun me diferencë, me 65 pikë në po 27 ndeshje dhe po shkon i sigurt drejt titullit kampion.

Sfidanti.al