Do të bindet të qendrojë, por arsyeja më e fortë duket se do të jetë (përsëri) ajo që futet brenda në kuletë. Barcelona duket se e ka bindur Lionel Mesin që të mos largohet, veçse me një sakrificë vërtet të madhe. Klubi që, për hir të së vërtetës noton në para, do t’i japë yllit të saj më të madh një rrogë që mund të cilësohet “faraonike”, prej 35-40 milionë eurosh në sezon. Duket se po dalin të vërteta ato që shkruheshin në media, se babai i Leos i kishte kërkuar Barçës 50 milionë euro (kuptohet edhe zemërimi i disa prej drejtuesve).
Mesi dhe Barcelona janë pranë arritjes së marrëveshjes që do ta shtynte kontratën deri në vitin 2021, kur argjentinasi të jetë 34 vjeç. Praktikisht, i bie që ai ta mbyllë karrierën në “Kamp Nou”. Në këtë mënyrë, duket se do të dalin si flluska sapuni tentimet që bënë për Mesin klube të tillë si Mançester Siti, Paris SG, Mançester Junajtid apo Interi.