Çelsi krijon rastet, por Dortmundi fiton!

Kështu është edhe Championsi, dhe kështu është futbolli në përgjithësi. Kur një ekip nuk është i qetë, edhe kur ka talent pa fund, nuk arrin të realizojë gjënë kryesore, pikërisht golin. Kjo i ndodhi Çelsit që në “Signal Iduna Park” zhvilluan një ndeshje shumë të mirë, krijuan shumë raste për shënim, por sërish dolën të humbur. Blutë e Londrës patën 19 gjuajtje, më shumë sesa gjermanët, ndërsa në kuadrat ishin 8 prej tyre, ndaj vetëm 2 të Dortmundit, por në rrjetë përfundoi vetëm goditja e saktë e sulmuesit Karim Adejemi në kundërsulm. Jo më kot, portieri vendas Kobel bëri 8 pritje, ndërsa Kepa vetëm një.

Nuk ishte gjë e vogël për ekipin e trajnerit Graham Poter të tregohej dominues ndaj një kundërshtari që kishte në fushë Zylen, Brantin, Belinghamin, Adejemin dhe Halerin. Poter aktivizoi blerjet e reja si Enzo Fernandez, Zhoao Feliks apo Mihajlo Mudrik, ndërsa ishin edhe Xhejms, Kulibali, Tiago Silva, Zijeç apo Haverc. Armando Broja i dëmtuar nuk ishte pjesë e kësaj ndeshjeje, siç nuk do të jetë këtë sezon. Tashmë, për Blutë e Londrës, detyra do të jetë tepër e vështirë në “Stemford Brixh” pas 3 javësh.

Sfidanti.al