Ish-sulmuesi anglez, Kris Saton, tashmë në rolin e opinionistit, bëri një vërejtje me humor dhe thumb ndërsa luheshin sekondat e fundit. “Kush do ta kishte menduar që Mançester Siti do të kthehej në Uimbëlldonin e dikurshëm me topat e gjatë drejt zonës”. E tillë u bë finalja e Championsit ndërsa afrohej koha e vërshëllimës së gjyqtarit, ndërsa skuadra e shkëlqyer e Pep Guardiolës e shpenzoi të gjithë kohën që pati në dispozicion për futbollin e saj koral.
Kampioni i ri i Europës është Çelsi i Tomas Tuhelit, që fitoi 1-0 në Porto ndaj Sitit me gol të shënuar në 43’ nga Kai Haverc. Gjermani aq shumë i kritikuar këtë sezon vulosi fatin e ndeshjes më të madhe të karrierës së tij, dhe padyshim kjo mund ta ndihmojë sezonin tjetër. Tuheli arriti në finalen e dytë radhazi dhe këtë herë ia doli, ndërsa vjet Paris SG i tij u mund nga Bajerni në Lisbonë. Çelsi arriti fitoren e dytë në finalen e tretë në Champions. Në 2008 u mund me penallti nga Mançester Junajtidi i Sër Aleks Fergusonit, në 2012 mposhti papritur Bajernin në Mynih dhe tani sërish papritur mundi Sitin. Duket se përvoja më e madhe bëri të vetën, ndërsa Pep Guardiola ka harruar sesi fitohet një finale.
Pati kritika për ndërtimin e skuadrës nga ana e tij, duke lënë jashtë kapitenin Fernandinjo, ndërsa Siti nuk arriti dot t’ia impononte plotësisht Çelsin lojën e tij. Topin e zotëroi 60 për qind, që nuk quhet aq shumë, ndërsa drejt portës gjuajti 8 herë ndaj 7 të Sitit, madje pati 2 gjuajtje në kuadrat ndaj vetëm 1. Pra, Siti i formuar me qindra milionë paundë stërlina futi topin vetëm një herë në kuadrat. Dëmtimi i De Brujnit ishte një goditje e rëndë për Guardiolën, madje edhe më shumë sesa dalja po me lëndim e Tiago Silvës për Çelsin, por nuk ishte arsyeja e humbjes. Ndoshta, për Sitin ishte pak si shumë shpejt për të fituar e do të duhet ende që të presë.
Mançester Siti: Ederson, Uolker, Stouns, Ruben Dias, Zinçenko, Bernardo Silva (Fernandinjo 64’), Gyndogan, Foden, Mahrez, De Brujn (Gabriel Zhezus 60’), Stërling (Aguero 77’). Tr. Guardiola.
Çelsi: Mendi, Azpilikueta, Tiago Silva (Kristensen 39’), Rydiger, Xhejms, Kante, Zhorzhinjo, Çiluell, Haverc, Maunt (Kovaçiç 80’), Verner (Pulishiç 66’). Tr. Tuhel.
Sfidanti.al