Neymar e pranon se e ka tepruar duke i zmadhuar faullet ndaj tij gjatë Kupës së Botës në Rusi. Por, superylli i Brazilit dhe Paris Saint-Germainit është zotuar se do të ndryshojë pas asaj që ndodhi në Rusi.
Për Neymarin dhe Brazilin pati shpresa të mëdha në Rusia 2018, por gjiganti i Amerikës Jugore u eliminua në çerekfinale nga Belgjika, transmeton Gazeta Express.
Neymar, i cili i shënoi dy gola në këtë turne pasi u riaftësua me kohë nga lëndimi në shputën e këmbës së djathtë që e pësoi në shkurt, ka qenë cak i rregullt i kritikave për sjelljet dhe skenat teatrale në fushë.
Si pasojë, 26-vjeçari u la jashtë listës së ngushtë të çmimeve për më të mirët e FIFA-s.
Por, tani duket se braziliani është i gatshëm të ndryshojë.
“Mund të mendoni se e kam tepruar. Nganjëherë e bëj. Por, e vërteta është se unë vuaj në fushë. Nuk ia keni idenë nëpër çfarë kaloj unë jashtë fushës. Kur largohem pa folur para gazetarëve, nuk ndodh sepse mua më pëlqen vetëm të fitoj, por sepse ende nuk jam mësuar t’ju zhgënjej. Kur dukem i pasjellshëm, nuk është sepse jam fëmijë i llastuar, ndodh sepse ende nuk jam mësuar si ta trajtoj zemërimin”, ka thënë Neymar.
“Brenda meje ende ekziston një djalosh. Nganjëherë e josh botën, nganjëherë tjetër i zemëron të gjithë. Beteja ime është ta mbaj të gjallë këtë djalosh. Ama, brenda meje, jo brenda fushës”, shtoi ai.
“Më është dashur kohë t’i pranoj kritikat tuaja. M’u desh kohë ta shikoj veten në pasqyre dhe të bëhem një njeri i ri. Por, tani jam këtu, me zemër të hapur”, theksoi ai.