Serbia s’mbahet në ujë, 4 herë me radhë kampione e Evropës në vaterpol

Serbia vazhdon dominimin e saj në kampionatet evropiane të vaterpolit për meshkuj. Ky vend arriti që të fitoi për të katërtën herë radhazi titullin e kampionit të Evropës, pasi mundi dje me penallti në ndeshjen finale Spanjën vendase. Megjithëse Serbia ishte favoritja kryesore për ta fituar finalen, ekipi spanjoll i mbështetur fuqishëm nga publiku vendas në Barcelonë, zhvilloi një ndeshje mjaft të mirë. Në çerekun e parë, Spanja udhëhiqte 1-0, ndërsa kryesoi 4-3 edhe deri në pjesën e parë të ndeshjes. Por, mbas përfundimit të çerekut të tretë, rezultati ishte 6-6, kurse mbas mbarimit të çerekut të katërt – 7-7, kështu që u desh që të gjuheshin penalltitë, të cilat Serbia i realizoi më saktë, duke fituar 5-3.
Vendin e tretë në Evropianin e meshkujve e fitoi Kroacia që për medaljen e bronzit mundi 10-8 Italinë.
Sfidanti.al