Ç’e do fitoren 5-0 kur ke në kafaz “gjela” si Kilian Mbape!

Ai nuk është edhe aq i vogël tashmë, por kjo duket se po e bën edhe më problematik. Kilian Mbape i nisi “shkelmat” tek Paris SG që në fund të sezonit të kaluar, kur nisi “të varte buzët” e të kërkonte t’i jepej më shumë përgjegjësi, ndërsa tani mërzitet edhe kur zëvendësohet në minutën e 70-të (69, saktësisht), me ndeshjen të fituar 5-0, me diferencën në renditjen e Ligës së Parë franceze në 12 pikë, dhe me duelin e Championsit në prag.

Ndodhi, ndërsa trajneri Tomas Tuhel mendoi që ta kursente sado pak fizikisht për ndeshje më të rëndësishme, sidomos në Europë, por 21-vjeçari nuk e priti aspak mirë dhe doli nga fusha furishëm. Ai nuk deshi të dëgjonte sqarimet e Tuhelit, i cili gjithsesi e tërhoqi pranë vetes duke i folur. Pas ndeshjes, natyrshëm trajneri gjerman u pyet për incidentin, por ai u përgjigj shkurt: “Gjëra të tilla natyrisht nuk janë të mira për imazhin e skuadrës dhe të klubit, por ne nuk jemi të vetmit ku ndodhin këto gjëra, gjithsesi trajner këtu jam unë, jo Mbapeja”. Dhe të mendosh që Tuheli nxorri Mbapenë për të futur në lojë Ikardin.

Sfidanti.al