Bajerni kap kreun, por Halandi tremb me 19 minuta për gol!

Ka vetëm 3 ndeshje në Bundesligë, madje në tërësi kanë qenë “copa ndeshjesh”. Në fushë ishte vetëm për 137 minuta, por kaq i kanë mjaftuar për të realizuar 7 gola. Erling Haland, adoleshenti gjigand nga Norvegjia, po tmerron kampionatin gjermane, e ndoshta edhe Bajerni i madh i Mynihut po mendon disi i shqetësuar për të. Dortmundi, tashmë me Halandin në përbërje, duket një skuadër krejt tjetër, e pandalshme. Jo më kot ka marrë 9 pikë në 3 ndeshje, me golaverazhin 15-4.

Borusia e trajnerit Favre ka tani 39 pikë në renditje, ndaj 42 të Bajernit e 41 të Lajpcigut (që u mbaj barazim 2-2 nga Gladbahu). Vetë Gladbahu ka 38 pikë, pra konkurrenca në Bundesligë duket e shkëlqyer. Megjithatë, Bajerni ndjen rival vetëm Dortmundin e Halandit, një ekip që ka shënuar thuajse po aq gola sa bavarezët, 56 ndaj 58. Dakord, Bajerni ka Robert Levandovskin që ka 22 rrjeta këtë sezon të kampionatit, por që sërish i janë dashur 80 minuta për gol, ndërsa Halandi e ka mesataren 19 minuta për gol! Gjithsesi, Bajerni nuk është vetëm Levandovski, ndaj edhe Halandi duhet të vazhdojë të tregohet i jashtëzakonshëm që ekipi i tij të rivalizojë për titull.

Sfidanti.al