E pohon se është tip shumë optimist, por kur afron fundjava ka një ndjenjë tjetër. “Unë ndihem i shqetësuar”, – thotë Jurgen Klopi, ndërsa Liverpuli i afrohet ndeshjes së radhës, dhe kjo edhe pse skuadra e tij ka fituar 24, ka barazuar 1 dhe ka humbur 0 në Premier Ligë. Ky ishte refreni i gjermanit edhe pas suksesit 4-0 kundër Sauthemptonit në “Anfild”, triumf që e ngjiti ekipin e kuq në kuotën e 73 pikëve në krye të tabelës, 22 pikë mbi Mançester Sitin, ndonëse ekipi i Guardiolës nuk e ka luajtur ende ndeshjen e tij.
“Unë nuk i shoh ata numra, – deklaroi Klopi, – ju premtoj se nuk gënjej. Ne thjesht nuk e ndjejmë këtë gjë. Para ndeshjeve jam i shqetësuar sepse e di se në futboll gjithçka mund të ndodhë”. Pavarësisht rezultatit 4-0, vendasit nuk e patën të lehtë. Sauthemptoni luajti një pjesë të parë të madhe dhe vetëm një Alison në formë të shkëlqyer shpëtoi golat. Pas pushimit, Okslejd-Çembërlen shënoi golin e parë, por jo përpara se miqtë të pretendonin për penallti. Pastaj, Xhordan Henderson goditi për së dyti, i shërbyer nga më i miri në fushë, Roberto Firmino. Nuk mund të mungonte Mohamed Salah, me dy rrjeta, ndërsa Sadio Mane i dëmtuar mungoi.
Sfidanti.al