Bundesliga rikthehet në 15 ose 22 maj, Kancelarja Merkel hap “dritën jeshile”!

Më në fund diskutimet përfunduan, madje me sukses. Fjalën vendimtare do ta thoshte “Gruaja e hekurt” e Gjermanisë, dhe Angela Merkel nuk zhgënjeu. Kancelarja i hapi “dritën jeshile” rifillimit të Bundesligës, madje që në gjysmën e dytë të këtij muaji, pra të majit. Lajm i madh për futbollin gjerman, dhe për atë europian, pasi rikthimi i Bundesligës do të thotë më shumë shpresë për të përfunduar sezoni edhe në Angli, Spanjë apo Itali.

Merkeli pati një takim këtë mesjavë për masat që duheshin marrë për karantinën në Gjermani, dhe leja zyrtare e dhënë prej saj do të thotë se ndeshjet mund të nisin në 15 maj, ose edhe në 22. Me gjasë, më e mundshme do të jetë kjo data e dytë, pasi klube të ndryshëm janë të shqetësuar se futbollistët e tyre nuk do të jenë të përgatitur sa duhet në 15 maj.

Fillimisht, ekzistonte frika se kancelarja mund të kërkonte 2 javë karantinë për të gjitha skuadrat, për shkak të rasteve me koronavirus që u vërtetuan nga testet e bëra nëpër klube. Kjo gjë nuk ndodhi, dhe tani drejtuesit e futbollit kanë për detyrë vetëm të përcaktojnë datat. Bundesliga do të ketë vetëm ndeshje pa spektatorë, nga ato që në Gjermani i quajnë “ndeshje fantazmë”.

Po ashtu, kampionatet, që nga elita deri në kategoritë më të ulëta, do të luhjen në kushte të forta sigurie, dhe nuk do të lejohen shaka si ajo që bëri sulmuesi i Hertës së Berlinit, Salomon Kalu, tashmë i pezulluar. Bajerni i Mynihut kryeson pas 25 javësh, me 55 pikë, 4 më shumë sesa Dortmundi, ndërsa pranë janë edhe Lajpcigu e Gladbahu. Deri në fund do të duhet të luhen edhe 9 javë.

Sfidanti.al