Kur Maurisio Poçetino u bë trajner i Totenhemit në 2014, Harri Kejn ishte një lojtar i mirë dhe kaq. Në repartin e sulmit, ai ishte i treti në radhë pas Soldados dhe Adebajorit, ndërsa rolin e titullarit nuk e fitonte shpesh. Më herët ishte dhënë hua disa herë, por nuk është se kishte shkëlqyer me Lejton Orientin, Miluollin apo Leisterin.
Në sezonin 2014-2015, deri në dhjetor, shënoi 10 gola nga të cilët 7 në Ligën e Europës dhe 3 në Kupën e Ligës, por Premier Liga nuk bënte për të. Sulmuesi kujton se shkoi dhe takoi trajnerin duke biseduar me të. “Bos, përse nuk luaj?”, – ishte pyetja. Poçetino u tregua i drejtpërdrejtë. “Harri, ti ke shumë dhjamë në trup, – i tha argjentinasi, – analizat treguan se ke dhjam 18 për qind të peshës trupore. Kjo është shumë. Stërvitu më shumë, digje dhjamin dhe do të luash”.
Kejn e bëri këtë gjë dhe shpërblimi erdhi shpejt. Ai sot është jo vetëm sulmuesi më i mirë i Totenhemit, por edhe i Premier Ligës, i kombëtares së Anglisë dhe i Europës. Me 56 gola la prapa Mesin në renditjen e 2017-ës, me 39 gola la prapa Shirërin në renditjen e golit në Premier Ligë po në 2017, ndërsa Shirerit rrezikon t’i thyhet edhe rekordi historik i golave në Premier, me 260 të tillë. Kejn ka 96 vetëm në 135 ndeshje, ndërsa Shirërit iu deshën 441 për Blekbërnin e Njukasëllin.
Sfidanti.al