Për momentin, më shumë stërvitet e më pak luan. Armando Broja ende nuk është një emër i rëndësishëm tek Çelsi, por gjithsesi trajneri Tomas Tuhel e ka mendjen edhe tek ai. Klubi londinez, sipas mediave angleze, është duke biseduar me sulmuesin e kombëtares shqiptare për një rinovim të kontratës. Kjo, edhe pse 20-vjeçari ka akord në “Stemford Brixh” edhe për 4 vitet e ardhshme, diçka që mund të cilësohet si siguri e madhe në futbollin e sotëm. Gjithsesi, Blutë e Londrës duan që të jenë plotësisht të sigurt dhe pritet që t’i ofrojnë shqiptarit një rrogë më të madhe.
Nuk flitet për shifra, por padyshim që mund të arrihet në 1 milionë paundë stërlina në sezon apo edhe më shumë, që do të thotë shumëfishim i pagës sipas kontratës së tanishme. Tuheli e ka aktivizuar pak Brojën në dy ndeshjet e para të Premier Ligës, 15 minuta në fitoren 1-0 në fushën e Evertonit dhe fare pak minuta në barazimin 2-2 me Totenhemin. Gjithsesi, trajneri i ka premtuar sulmuesit se do të ketë hapësira këtë sezon, edhe pse jo në nivelin që pati tek Sauthemptoni sezonin e kaluar. Broja shënoi 9 gola gjithsej për “shenjtorët” edicionin e shkuar, 6 prej të cilëve në Premier Ligë, duke u bërë një nga të rinjtë më të suksesshëm, ndërsa Njukasëlli e Uest Hemi ndoshta ende do ta kërkojnë.
Sfidanti.al