Broja dhe Championsi, shqiptari pret sot një shans nga trajneri Poter

Përgatitjen e bëri si gjithë të tjerët. Armando Broja është një profesionist i përkushtuar tek Çelsi, edhe pse nuk ka pasur mundësi asnjëherë që ta nisë një ndeshje nga fillimi. Sulmuesi i kombëtares shqiptare bëri debutimin në Champions mesjavën e shkuar në Kroaci duke luajtur më shumë se 30 minuta, por sërish në përballjen e sotme besohet se do të jetë në stol. Trajneri i ri, Graham Poter, nuk dha asnjë hollësi lidhur me formacionin në konferencën e tij për shtyp përpara sfidës së orës 21:00 ndaj Salcburgut në “Stemford Brixh”, por nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim. Blutë e Londrës kanë një numër të madh sulmuesish përveç shqiptarit, si Obamejangun, Stërlingun, Havercin, Mauntin, Zijeçin e Pulishiçin, ndaj edhe për Poterin nuk është e lehtë që të zgjedhë.

Edhe në anketat e tifozëve, më të votuarit janë Stërling, Obamejang dhe Maunt, ndërsa sulmuesi kuqezi preferohet ta fillojë ndeshjen nga stoli. Deri tani, 21-vjeçari është aktivizuar në ndeshje të tilla si ndaj Evertonit, Sauthemptonit apo Uest Hemit, duke qenë i dalluar sidomos në këto dy të fundit. Çelsi duhet të bëjë kthesë pas humbjes së rëndë 0-1 në Zagreb me Dinamon vendase, ndërsa grupi parashikohet i vështirë. Salcburgu arriti një barazim të rëndësishëm ndaj Milanit në ndeshjen e parë dhe konkurrenca pritet e fortë me austriakët dhe italianët. Broja, një produkt i Akademisë së Bluve të Londrës, ka çarë rrugën e tij drejt ekipit të parë, pasi kaloi me sukses dy huazime tek Viteshe dhe Sauthemptoni.

Sfidanti.al