Brilant dhe i çmendur, i tillë Dortmundi përballë Lajpcigut!

Julian Nagelsman ishte i lumtur të pozonte me tifozët e Dortmundit, ndërsa skuadra e tij, Lajpcigu, reagoi mirë ndaj qetësisë së trajnerit të saj. Barazim 3-3 në duelin e kreut në Dortmund, duke përballuar gjenialitetin e yjeve vendas, si dhe 80 000 tifozët e “Murit të Verdhë” që i kishte kundër. Nëse thua se Borusia duhej të fitonte, je pranë së vërtetë. Nëse shton se një gjeni është edhe një i çmendur, sërish i ke rënë pikës.

Dy prej më të mirëve në fushë për verdhezinjtë, portieri Byrki dhe lojtari ofensiv Brant, bënë gabime fatale që ndihmuan sulmuesin e Lajpcigut, Timo Verner, të shënonte golat e tij numër 17 dhe 18 të sezonit. E gjitha kjo pas një pjese të parë shumë të mirë për vendasit, që ndezi flakë publikun. Vajgl e Brant ishin autorët e golave, Dortmundi pati edhe mundësi të tjera, ndërsa Byrki ndaloi rastet e miqve. Pas pushimit erdhën momentet e çmendurisë së Byrkit dhe Brantit, por dhe klasi i Xhejdon Sanços që kaloi sërish Borusian në epërsi. Gjithsesi, ekipi i trajnerit Nagelsman pati besim deri në fund dhe mund të quhet sfiduesi më i fortë i Bajernit në luftën për titull. Shik, i ardhur nga stoli, barazoi dhe Lajpcigu ka tani 34 pikë ndaj 31 të Borusias së Mynshengladbahut, me Dortmundin në vendin e tretë me 30 pikë. Lajpcigu ka edhe numrin më të madh të golave në Bundesligë, 45 ndaj 41 të Bajernit e 40 të Dortmundit.

Sfidanti.al