Briken Calja “mbret” i Europës, urojmë të “mundë” edhe dopingun!

Ja që mund të kemi edhe lajme të mira. Pas dy skandaleve të dopingut dhe pas dëmtimit të Erkand Qerimajt, peshëngritja shqiptare gjithsesi e pati një shkëlqim në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Bukuresht. Briken Calja u shpall kampion i Europës në peshën deri 69 kg, një sukses vërtet i nivelit të lartë, më i madhi arritur në karrierën e tij.

Shtangisti nga Shtërmeni dominoi peshën e tij, duke fituar të treja medaljet e arta, përfshi edhe më të rëndësishmen, atë në dygarësh. Calja ngriti gjithsej 321 kg, plot 10 kilogram më shumë sesa gjermani Joakim, që doli nënkampion i kontinentit. Ai i realizoi me sukses të treja provat në stilin e shkëputjes, duke arritur në 146 kg, ndërsa në stilin tjetër atë të shtytjes, dështoi vetëm në një provë. Ngriti 175 kg në tentativën e tretë, që i dha edhe medaljen e artë.

Ky është suksesi më i madh i peshëngritjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, bashkë me atë të Erkand Qerimajt që doli kampion i Europës në vitin 2014 në Izrael. Gjithsesi, për t’u konfirmuar gjithçka duhet pritur përfundimi i analizave të dopingut. Calja, po ashtu ka arritur rezultatin më të mirë të sportistëve meshkuj në Lojrat Olimpike, duke dalë në vend të 5-të në Londër 2012.

Në Kampionatin Europian që po zhvillohet në Rumani, për Shqipërinë do të garojë edhe Daniel Godelli në peshën deri 77 kg, dhe ai gjithashtu ka shpresë për medalje.

Sfidanti.al