Kritikat për të kanë qenë deri edhe mizore, ndaj besohet se Leonardo Bonuçi po ndjen sikur ka marrë revanshin. Kapiteni i Milanit është në krye të një skuadre që po vlerësohet lart prej javësh, dhe që arriti finalen e Kupës së Italisë (do të jetë përballë Juventusit të tij të dikurshëm). Edhe pse nuk është fituar ende asgjë, Bonuçi pyetet dhe përgjigjet sikur epoka e re të jetë hapur.
“Kam besim tek kualifikimi për në Champions, – u shpreh ai, – matematika na lejon dhe po luajmë mirë. Përsa i përket kritikave, nuk ua kam vënë shumë veshin. Në skuadrat ku kam luajtur, kam arritur suksese të mëdha duke punuar fort, edhe pse në tetor na jepnin si të vdekur”.
Sa meritë ka Xhenaro Gatuzo në këtë ringjallje të Milanit dhe të Bonuçit. Mbrojtësi i Italisë bën një krahasim që duket me vend. “Trajneri ynë, pavarësisht mungesës së përvojës dhe moshës së re ka treguar karakter të madh, – u shpreh ai, – ajo që më ka bërë më shumë përshtypje ishte aftësia e tij për të na transmetuar urinë e madhe për të fituar, që ka pasur kur ishte lojtar. i ka bërë lojtarët të ndihen të rëndësishëm. Përsa i përket karizmës, vendosmërisë, dhe ashpërsisë, më kujton Konten”.
Sfidanti.al