Bolt drejton gishtin nga rusët, por duhet të shohë më gjerë!

Usain Bolt paralajmëroi se atletika do të vdesë nëse sportistët që marrin doping nuk arrijnë të dënohen, madje të përjashtohen për fare. “Shpresoj që atletët të kuptojnë se nëse vazhdojnë të bëjnë këto gjëra, atletika do të vdesë, – tha ai, në prag të kampionatit të tij të fundit botëror, – skandali me Rusinë mendoj se ishte pika më e ulët, ndërsa tani vetëm mund të bëhet më mirë, jo më keq”. Natyrisht, Bolt ka të drejtë për sportistët rusë që u dënuan, pasi një pjesë e madhe e tyre (ose të gjithë) i kishin shkelur rregullat, por natyrisht xhamajkani i madh duhet të shohë më mirë rreth e rrotull.

Le të marrim vetëm garën e tij të preferuar, legjendaren e 100 metrave. Ndër 30 rezultatet më të mirë të të gjitha kohëve (arritur që të gjithë nga viti 2005 e këtej), 21 prej tyre i takojnë sportistëve të dënuar me doping, ndërsa 9 të tjerat janë të vetë Boltit. Bëhet fjalë për 4 sprintierë të tjerë të dënuar në një fazë apo një tjetër të karrierës, dhe ndër të cilët asnjë nuk është rus. Tajson Gej amerikan, Johan Blejk xhamajkan, Asafa Pauell xhamajkan dhe Xhastin Gatlin amerikan.

Sfidanti.al