Dikur quhet “Stadiumi i Ushtrisë Jugosllave” (JNA), sot thjesht “Partizan”. Është impianti ku luan Partizani i Beogradit dhe ku mbrëmë Besnik Hasi arriti një fitore të madhe, thuajse kualifikuese në Champions. Në stolin e Olimpiakosit, shqiptari nga Kosova triumfoi 3-1 në fushën e kampiones serbe dhe është shumë pranë kalimit në plej of. Trajneri nga Gjakova, ish-kapiten i Shqipërisë, triumfoi pikërisht në stadiumin ku kombëtarja shqiptare pësoi masakrimin më të madh në historinë e saj, aty ku u ngrit një flamur me hartën e Shqipërisë së Madhe dhe me fjalët “autokton” në 14 tetor të vitit 2014.
Mediat greke patën lavdërime të mëdha për gjakovarin, duke e cilësuar njeriun e duhur për Olimpiakosin, dhe që po ndërton një skuadër të vërtetë për Champions. “Nova Sport” shkruan se Hasi përballoi vështirësi të mëdha në Beograd, sidomos disa mungesa të rëndësishme në formacion si Fortun, Elambdales, Botia, Tahsidhis dhe Andrucos. Loja e Olimpiakosit ishte e rrjedhshme, me zotërim topi, duke mos lejuar Partizanin që të rrezikonte, diçka që jo gjithnjë arrihet që në korrik.
Vetë Hasi bëri një dedikim pas suksesit. “Fitoren ia kushtojmë Bebes (Thanasis Bebis) që ndërroi jetë pak ditë më parë”, – tha ai, duke iu referuar ish-lojtarit të shquar dhe ish-trajnerit të Olimpiakosit që vdiq në moshën 88-vjeçare. “Loja kolektive dhe shpirti luftarak ishin armët tona kryesore, – vazhdoi Hasi, – Partizani luajti më mirë në pjesën e parë, por ia dolëm të izolonim sulmuesit e tij. Fitorja është e madhe, por kemi edhe 90 minuta në “Karaiskaqi” përpara sesa të kualifikohemi”.
El Fardu Ben Nabuhane shënoi dy gola për grekët, Emanuel Emenike realizoi të tretin, ndërsa Leandre Tauamba barazoi përkohësisht për vendasit. Në Champions luajti edhe kapiteni i kombëtares, Ansi Agolli, me Karabakun që barazoi 0-0 në fushën e vet ndaj Sherifit të Tiraspolit të Moldavisë. Skuadra që eleminoi Kukësin arriti një rezultat pozitiv.
Sfidanti.al