Benzema largohet nga Reali, e presin 400 milionë euro në Arabinë Saudite!

E kishte përgënjeshtruar pak ditë më parë. Karim Benzema deklaroi së fundmi se vazhdonte të ishte pjesë e Realit të Madridit, por tashmë është vetë klubi spanjoll që nxjerr zbuluar legjendën franceze. Nga “Santiago Bernabeu” del deklarata e rëndësishme se kapiteni do të largohet këtë verë. Sulmuesi 35-vjeçar i jep fund një karriere të shkëlqyer 14-vjeçare në kryeqytetin spanjoll, në të cilën fitoi gjithçka dhe u bë një nga emrat më të shquar të ekipit më të madh të botës. E ardhmja e Benzemasë sipas të gjitha gjasave do të jetë në Arabinë Saudite, ku ai do të bashkohet me ekipin që sapo fitoi titullin, Al Itihad.

Kontrata besohet se do të jetë 400 milionë euro në dy sezone, pak a shumë sa është ajo e Kristiano Ronaldos tek Al Nasri. Francezi bashkohet me CR7-ën, ndërsa pritet të luajë në një Ligë Profesioniste ku do të mbërrijë edhe Lionel Mesi, pse jo edhe Buskets, Sergio Ramos apo Zhordi Alba. Benzema luajti për 14 sezone në “Bernabeu”, i ardhur nga Lioni. Ai realizoi 353 gola në 647 ndeshje, dhe u bë shënuesi i dytë më i mirë në historinë e Realit pas Kristiano Ronaldos, duke lënë pas të tillë si Raul Gonzales dhe Alfredo di Stefano. Në total, francezi fitoi 24 trofe me fanelën “merenges”, përfshi 5 Champions e 4 tituj në La Ligë.

Sfidanti.al