Trofeu i Championsit u ekspozua në tapetin e “Bernabeut” dhe ishte ndeshja e duhur për ta bërë. Reali ndeshej me Betisin, që ishte gjithashtu në krye të La Ligës deri para kësaj përballjeje. Fitoi ekipi i Karlo Ançelotit 2-1, por me vështirësi, ndërsa pati polemika. Fekir kërkoi penallti pas një dueli me Karvahalin, ndërsa pretendimi i Borha Iglesiasit u duk më shumë teatër, ndërsa ishte në zonë pranë portierit Kurtua. Gjithsesi, përtej interpretimit nëse kishte apo jo 11-metërsh për Betisin, fakt është që skuadra mike luftoi fort dhe ia solli ngushtë Realit. Bardheblertët patën 50 për qind zotërim topi dhe goditën 4 herë saktë në portë, po aq sa Reali, ndonëse madrilenët patën epërsi në gjuajtjet në total. Këtë herë ishin Vinisius dhe Rodrigo që siguruan fitoren pasi Benzema humbi një rast të artë dhe nuk mundi të realizonte. Gjithsesi, mediat madrilene theksuan se ai që ra më shumë në sy ishte Çuameni, mesfushori që po aktivizohet në vend të Kasemiros që shkoi tek Mançester Junajtidi. Futbollisti i Francës po cilësohet si prej epoke tjetër.
Sfidanti.al