Verstapen vërtet është i pari në shtëpi, por Ferrari këtë herë është pranë

Makinat e kuqe nuk mbetën aspak prapa Red Bullit, ndërsa kampioni i botës e mori vendin e parë në prova për të dytin vit radhazi në Holandë. Maks Verstapen e la pas zhgënjimin e së premtes duke dhënë kohën 1’10”342 këtë të shtunë në pistën e Zantvortit e duke lënë prapa rivalët. Gjithsesi, kryesuesi i kampionatit botëror të Formula 1 nuk pati aspak diferencë me Ferrarin, madje distanca me Mercedesin e Hamiltonit ishte gjithashtu e vogël. Sharl Lëklerk ishte 21 të mijtat prapa, Karlos Sainz po i Ferrarit më pak se 1 të dhjetën me vonesë, ndërsa Hamiltoni më pak se 3 të dhjetat. Gara pritet të jetë e fortë, ndonëse nuk dihet sesa mirë do të jetë makina italiane në ritmin dhe gjatësinë e garës, dhe sesa do të ndikojë personaliteti dhe ambicia e Verstapenit, që kryeson Botërorin me 93 pikë ndaj shokut të tij të Red Bullit, Sergio Perez.

Sfidanti.al