Pas garës së ashpër për Nico Williams, e fituar në fund nga Athletic Bilbao me rinovimin e spanjollit, Bayerni dhe Barcelona gjenden sërish në një përplasje të drejtpërdrejtë në merkato. Këtë herë, objektivi i përbashkët është Luis Diaz, sulmuesi anësor i Liverpool-it. Gjermanët janë detyruar të hyjnë fuqishëm në treg pas dëmtimit të rëndë të Jamal Musialas, i cili pësoi frakturë në fibul dhe dëmtim të ligamenteve në kavilje gjatë një përplasjeje me Gianluigi Donnarumma-n në çerekfinalen e Kupës së Botës për Klube ndaj PSG-së. Mesfushori i talentuar pritet të mungojë për të paktën 4 deri në 5 muaj dhe drejtuesit bavarezë janë vënë menjëherë në lëvizje për një zëvendësues të denjë.
Liverpool-i është i hapur për ta shitur ish-lojtarin e Portos, por kërkon një shumë prej 70 deri në 80 milionë euro, një vlerësim që mund të vështirësojë bisedimet me të dyja klubet.
Nëse transferimi konkretizohet, Bayern-i do t’i rrëmbente sërish Barcelonës një tjetër objektiv të rëndësishëm, në një betejë merkatoje që po bëhet gjithnjë e më intensive mes dy gjigantëve të futbollit evropian.