Davide Ancelotti, biri i legjendës së pankinës Carlo Ancelotti, është zyrtarizuar si trajneri i ri i Botafogos, një nga klubet më të njohura të Brazilit. 35-vjeçari italian ka nënshkruar një kontratë që do ta mbajë në krye të ekipit deri në fund të sezonit 2026, duke nisur një kapitull të ri në karrierën e tij trajnuese. Botafogo, e rikthyer së fundmi nga pjesëmarrja në Botërorin e Klubeve, synon të rifillojë kampionatin më 12 korrik me një drejtim të ri dhe ambicioz. Ancelotti mbërriti këtë mëngjes në aeroportin ‘Galeão’ dhe do të prezantohet së shpejti para skuadrës për të nisur punën. Në stafin e tij do të jenë edhe dy ndihmës trajnerë: spanjolli Luis Tevenet dhe britaniku Andrew Mangan, ndërsa për përgatitjen fizike do të kujdeset italiani Luca Guerra. Davide Ancelotti ka qenë prej vitesh krahu i djathtë i babait të tij Carlo në klubet më të mëdha evropiane si Real Madrid, Bayern Munich, PSG, Napoli dhe Everton, si dhe aktualisht në kombëtaren braziliane si pjesë e stafit teknik. Klubi e cilësoi këtë emërim si pjesë e një strategjie afatgjatë për forcimin e projektit sportiv të Botafogos, i cili mbështetet në inovacion, ambicie dhe praninë ndërkombëtare. “Mirë se erdhe Davide Ancelotti! Së bashku do të përpiqemi të shkruajmë kapituj të rinj ekselence me Botafogon” – thuhet në njoftimin e klubit brazilian. Data e konferencës së prezantimit pritet të njoftohet së shpejti.
sfidanti.al