Batha dhe shokët e tij duhej ta ngrinin në krah Bushiçin

Erdhi nga Kroacia dhe la gjithçka për të marrë një rrogë që, për momentin, nuk e merrte dot diku tjetër. Të paktën, ky ishte premtimi. Që nga paradhënia e gushtit kanë kaluar 5 muaj dhe Tomislav Bushiç nuk pa më euro të tjera me sy tek Flamurtari, ndaj lëshoi një ultimatum dhe e mbajti fjalën.

Se kush ishte Bushiç në Vlorë, këtë e tregonte më shumë se çdo fjalë shiriti i kapitenit që mbante në krah, pra u zgjodh nga trajneri Daja dhe shokët e tij, për autoritetin dhe respektin që gëzonte në skuadër. Ndryshe nga Danilo Alvesh, kroati u paraqit në apel, në janar, natyrisht pa “lëpirë” atë që kishte “pështyrë”. Përfundimisht iku, bashkë me golat dhe me festimin e tij si Kilian Mbape.

Papritur, kur Flamurtari shënoi ndaj Teutës, në stadiumin e Durrësit ndodhi diçka e papritur. Batha, shënuesi i golit, pas vrapimit dhe pas gishtit në buzë (ndaj kritikëve, apo ndaj tifozëve kundërshtarë?) festoi pikërisht si … Bushiçi.

Ish-kapiteni e vuri “gishtin në plagë” në deklaratën pas ndeshjes: “Ishte provokim”! Ishte më shumë se kaq, pasi duhet të quhet mosmirënjohje dhe moskuptim i gjestit të kroatit, pasi ultimatumi i tij ndaj presidentit ishte shembull edhe për gjithë shokët e tij të skuadrës. Në këtë rast, këta të fundit duket se zgjodhën të jenë në krah të presidentit, dhe jo të ish-kapitenit të tyre.

Sfidanti.al