Në fushën e lojës krahasohej me “mbretërit” dhe arriti lavdi të mëdha. Stefan Efenberg (apo Shtefan, siç e thonë gjermanët) fitoi10 trofe si futbollist, si dhe u shpall nënkampion i Europës me Gjermaninë në 1992. Gjithsesi, si trajner nuk mund të pohohet se “ia thotë edhe aq”. Gjithsesi, pas eksperiencës jo pozitive tek Paderborni në sezonin 2015-2016, “Efe” duket se do të ketë një mundësi tjetër.
Duhet të sakrifikojë disi, pasi klubi që pritet ta pajtojë për stolin quhet KFC Uerdingen, dhe luan në Bundesligën e tretë gjermane. Gazeta “Bild” shkruan se Uerdingeni shkarkoi trajnerin Shtefan Kremer, ndërsa Efenbergu u pa në tribunë, në krah të drejtuesve, madje edhe të presidentit Mihail Ponomarjov. Milioneri rus shpreson që 50-vjeçari Efenberg të jetë njeriu i duhur për ta ngjitur ekipin në Bundesligën e dytë, ndonëse është përmendur edhe emri i 65-vjeçarit, Feliks Magat.
Uerdingeni dikur ka qenë klub i rëndësishëm i Bundesligës, madje ka marrë pjesë në kupat e Europës në vitet 80-të, duke arritur në gjysmëfinalen e Kupës së Kupave në 1986, eleminuar nga Atletiko e Madridit. Ponomarjovi ndoshta shpreson të kthejë atë epokë.
Sfidanti.al