Bastet e futbollistëve shqetësojnë edhe Anglinë

Edhe në Angli ka një çështje sa i takon basteve të vendosura nga një futbollist. Fjala është për Lucas Paqueta që aktivizohet në Premier League me West Ham. Federata Angleze ka hapur prej muajit shtator një hetim pasi dyshohet se braziliani është ndëshkuar qëllimisht me karton të verdhë në disa ndeshje pasi kishte lajmëruar të afërm të tij që të vendosnin një bast të tillë, pra ku ai ndëshkohej me të verdhë.

Hetimet janë në pikën më kulmore ndërsa Paqueta kurrë nuk e ka pranuar një akuzë të tillë dhe së fundmi ka vendosur që t’i dorëzojë autoriteteve telefonin. Kështu, ata do të kenë mundësi të kontrollojnë me imtësi nëse futbollisti e kishte paralajmëruar ndëshkimin e tij me karton të verdhë. Në rast se konfirmohet akuzat që rëndojnë mbi Paqueta atëherë braziliani rrezikon një pezullim disa mujor teksa kujtojmë se aktualisht në Premier League për shkak të basteve u pezullua me tetë muaj sulmuesi i Brentford, Ivan Toney.

sfidanti.al