Një gol në minutën e fundit, një “gol klasik” i Sergio Ramosit i dha barazimit Realit në “Kamp Nou”. Në një “El Klasiko” jo të bukur, ku nuk munguan rastet, por nuk ishte e pranishme loja, madrilenët dolën më të lumturit nga fusha dhe vërtetuan përshtypjen e përgjithshme, që ata janë më shumë pretendentë sesa katalanasit në luftën për titullin kampion. Gjithsesi, Barça mund ta kishte fituar ndeshjen.
Goli i shënuar nga Luis Suarez në minutën e 53-të nuk ishte i vetmi moment i madh i “blaugranave”. Nejmar dhe Mesi patën raste tepër të pastër, që çuditërisht nuk i realizuan dot, ndërsa rezultati ishte 1-0. Reali, nga ana e tij, pati pretendime për penallti, për dy ndërhyrje të Maskeranos në zonë ndaj Lukas Vaskezit dhe Ronaldos, por gjyqtari nuk sinjalizoi asgjë. Barça po ashtu pati një pretendim për 11-metërsh në pjesën e parë për prekje të topit me dorë nga Karvahal.
Kristiano Ronaldo luajti një ndeshje jo në standardet e tij, ndryshe nga Mesi që pavarësisht rasteve të humbur, ndikoi shumë në lojën e vendasve. Gjithsesi, përfundoi barazim dhe Reali mbeti 6 pikë përpara katalanasve në krye të renditjes së ligës spanjolle. Cikli i Barcelonës ndoshta është duke ardhur drejt fundit, dhe me shumë gjasa, edhe nëse do të kishte fituar sonte, do ta kishte pasur shumë të vështirë të mposhtte skuadrën e Zidanit në garën për titull.