Kur gjithçka të ecën mbarë, kur yjet që ke në ekip shkëlqejnë vetvetiu, atëherë është e lehtë. Një Barcelonë e tillë fiton kurdoherë, e ka bërë me Rajkardin, Guardiolën, Luis Enriken, Vilanovën, Valverden dhe e bën edhe me Ksavi Hernandezin, për të mos shkuar më larg se fillimi i shekullit të 21-të. Gjithsesi, ekipi i Kasvit kishte probleme kur gjithçka bëhej “nyje”, ndeshjet ishin si “arrë gungse”. Jo këtë herë! Në “Uanda Metropolitano” u pa ndoshta për herë ë parë një Barcelonë që tregoi se di të vuajë për të fituar dhe se ia arrin qëllimit.
Shënoi vetëm 1 gol, me Dembelenë në fillim, pati epërsi vetëm 30 minuta, ndërsa më pas u mbrojt me dhëmbë edhe pse mbajti topin 60 për qind. Atletiko pati 20 gjuajtje ndaj 10 të katalanasve. Kaq mjaftoi dhe Barça ka 3 pikë më shumë sesa Reali në krye të La Ligës, 41 ndaj 38, ndërsa golat e pësuar janë vetëm 6 në 16 javë! Kurrë s’ka qenë kështu, as në kohën e Guardiolës. Ksavi pranoi vështirësinë, por bëri një vërejtje. “Ishte fitore e vështirë, – tha tekniku, – Atletiko luftoi shumë, ndërsa ne ishim shumë lart në 30 minutat e para. Duhet të mësojmë të fitojmë edhe kështu. Në fund të fundit, ndaj Espanjolit meritonim të fitonim, por nuk fituam, ndërsa sot mund të mos meritonim të fitonim dhe ia dolëm”.
Sfidanti.al