Rezultati ishte njëlloj, 3-2, po ashtu diferenca e pikëve edhe pas kësaj jave, +3. Gjithsesi, ishin të ndryshme fitoret e Barcelonës dhe Realit në ligën spanjolle. Katalanasit luajtën me të gjitha forcat, ishin në “Kamp Nou”, dhe ia dolën mbanë ndaj Sociedadit vetëm falë një lojtari, Lionel Mesit. Argjentinasi realizoi dy gola, duke thelluar diferencën me ndjekësit në renditjen e golshënuesve të kampionatit, ndërsa mbrojtja e Barçës u duk se fuste ujë në çdo moment. Një autogol i Ymtitisë dhe një rrjetë e Shabi Prietos, bënë interesante një ndeshje që po kthehej në rutinë.
Madridi, në të kundërt, pati luksin të linte në stol shumicën e yjeve kryesorë. Jo Ronaldo, jo Bejl (i dëmtuar), jo Benzema, jo Kros, jo Modriç, jo Karvahal, jo Varan (i dëmtuar), jo Kejlor Navas, jo Marselo (hyri zëvendësues), jo Kasemiro (luajti vetëm 2 minuta). Trajneri Zidan, gjithsesi, ka një favor të madh. Edhe me kaq mungesa, ka një stol që vlen sa një ekip titullar. Ja formacioni në fushën e Gihonit: Kasija, Danilo, Naço, Ramos, Koentrao, Isko, Kovaçiç, Hames Rodrigez, Lukas Vaskez, Morata, Asensio.
Shumë i mirë po tregohet Zidan, por asnjë trajner në botë nuk i ka këto favore. Isko shënoi dy gola, të dytin fare në fund duke siguruar fitoren që mund të vlejë titullin. Një rrjetë e shënoi Morata, ndërsa Sportingu vendas kaloi dy herë në epërsi, me kroatin Duje Çop dhe me Mikel Vesgën. Kjo nuk vlejti, dhe Reali kryeson me 75 pikë (-1 ndeshje), ndaj 72 të Barcelonës, që mban kreun për golat, 91 ndaj 82 të Madridit.
Sfidanti.al