E përditshmja “Marka” shkruajti krejtësisht e marrosur se “futbollisti total nuk është as 18 vjeç”. E kishte fjalën për Gavin. Trajneri Ksavi Hernandez u shpreh pas fitores në Valencia, se “nuk ka lojtar më të mirë në botë sesa Pedri”. Që të dy këta yje të shndritshëm janë të Barcelonës dhe katalanasit duket se e kanë kapërcyer shumë shpejt perëndimin e “Epokës Mesi” për të hapur një Epokë të Re. Suksesi 4-1 në “Mestaja” ndaj Valencias, pas triumfit 4-2 në “Kamp Nou” ndaj kampiones Atletiko e Madridit tregon se Ksavi po ndërton një superekip për të tashmen dhe të ardhmen. Pak rëndësi kanë rrëshqitjet, pasi me lojtarë kaq të rinj, Gavi 17 vjeç e Pedri 18, me kaq shumë ndryshime në ekip në pak muaj, me tronditjen e madhe të ikjes së Mesit e të Grizmanit pas Suarezit, nuk mund të kërkohet përsosmëria që tani. Shenjat gjithsesi janë të qarta, siç ishin të qarta 20 gjuajtjet drejt portës ndaj Realit në Superkupë, diçka që madrilenët as nuk e kishin imagjinuar, edhe pse në fund fituan 3-2.
Barça fitoi 4-1 në “Mestaja” në La Liga duke mbajtur vendin e katërt me 42 pikë, po aq sa Atletiko, por me një ndeshje më pak të luajtur. Synimi është padyshim vendi i tretë që mbahet me meritë nga Betisi, e pse jo vendi i dytë i Seviljes. Në rast fitoreje në sfidën e prapambetur, largësia nga seviljanët do të ishte 6 pikë. Në Valencia u luftua fort, ndaj një ekipi që do pikë, ndërsa katalanasit patën zotërim topi 63 për qind, e gjuajtjet ishin thuajse njësoj. Golat nga Obamejang (2), Frenki De Jong dhe Pedri.
Sfidanti.al