Këta lojtarë nuk mendohet të bëjnë diçka të tillë. Edhe pse basketbolli amerikan prej kohësh ka yje të rolit qendër që gjuajnë tri pikë, nuk pritej që njëri prej tyre të thyente specialistët e këtij roli. Ia doli Karl-Entoni Tauns, një profesionist shtatlartë prej 2.11 metrash, që triumfoi ndaj konkurrentëve të fortë si Trej Jang të Atlantës apo Ljuk Kenard të Los Anxhelos Klipersave. Ylli i Minesotës vendosi rekordin historik duke shënuar 29 kosha të tillë, ndaj 26 të Jangut e Kenardit. Në konkurrimin final, Tauns u përmirësua ndjeshëm në krahasim me raundin e parë, kur mbeti prapa Kenardit që shënoi 28 kosha. Ai shpreson të fitojë edhe tituj të tjerë për t’iu afruar Lerri Bërdit, Krejg Hoxhsit, Predrag Stojakoviçit apo Stefën Kërrit.
Në sfidën për zhytjet në kosh, triumfoi basketbollisti i Nju Jorkut, Obi Topin. Lojtari 23-vjeçar tregoi fantazi të madhe në paraqitjen e tij, duke realizuar aksione nga më të ndryshmet, e duke pasur epërsi ndaj ndjekësve si Toskano-Anderson i Golden Stejtit, Xhejlën Grin i Hjustonit apo Koul Entoni i Orlandos. Topin i dha të paktën kënaqësi publikut në një konkurrim të mbushur me gabime. Ai iu bashkua legjendave Majkëll Xhordan apo Kobi Brajant që kanë qenë fitues në të kaluarën.
Sfidanti.al