Në Itali e thonë gjysmë me të qeshur, e gjysmë seriozisht se futbollistët zikaltër duhet të marrin rrugën për pelegrinazh në Lurd (Lourdes), në qytetin e cilësuar të shenjtë në këmbët e Maleve Pirenej, ku thuhet se Shën Mëria e Virgjër i doli përpara një gruaje (por, nuk ka dalë më, që atëherë). Ndoshta, Edin Xheko do të propozonte që të shkonin në Mexhugorje, në Bosnjë-Hercegovinën e tij, apo në ndonjë xhami të Sarajevës. E tillë gjendja e Interit në Serinë A, dhe që të shpëtojë skuadra e Inzagit ndoshta ka nevojë për ndonjë mrekulli.
Humbja 0-2 me Sasuolon ka bërë që kampionët e Italisë të kenë vetëm 5 pikë në 5 ndeshjet e fundit, ndërsa kanë edhe disfatën në Champions ndaj Liverpulit. Fati i madh ishte që këë javë u ndalën edhe Juventusi (1-1 në derbi) dhe Milani (2-2 në Salerno), por gjithsesi këto rezultate bëjnë shumë dëm. “Në pushim, po qe se do të kisha pasur mundësi, do të kisha bërë më shumë se 2 zëvendësime”, – tha trajneri Inzagi. Zikaltërit nuk është se nuk dominuan, ata patën topin gati 60 për qind dhe gjuajtën 29 herë drejt portës së Konsilit, diçka shumë e vlerësueshme përballë Sasuolos, veçse në fund mbetet humbja 0-2. Sipas komenteve mediatike, skuadra u duk e lodhur, fizikisht dhe mendërisht, e duket se kanë ndikuar ndalesat me Atalantën, Milanin, Napolin dhe Liverpulin, e tani edhe kjo me Sasuolon. Që nga e premtja nis një kampionat tjetër përballë Xhenoas, ndërsa në renditje Milani kryeson me 56 pikë, Interi ka 54 dhe një ndeshje më shumë për të luajtur.
Sfidanti.al