Barça ndalet nga Granada, Reali duket se ka fatin

Ky ekip ende nuk e kishte marrë veten nga “druri” që hëngri në mesjavë në Champions, por edhe ajo “shqepje” ishte pasojë e problemeve të tjera. Barcelona duket si një anije që po shkon pa shpresë drejt fundit të oqeanit, ndërsa rivalët e saj, Real e Atletiko Madrid po fërkojnë duart për fatin që po i buzëqesh. Barazimi në “Kamp Nou” ndaj Granadës ishte goditja më e fundit në moralin e një skuadre ku trajneri është gati për t’u rrëzuar, presidenti i shkatërruar nga barra e borxheve, lojtarët të pashpresë dhe tifozët të zemëruar.
Kur ishte Lionel Mesi gjithmonë shiheshin ëndrra (me sy hapur) që “ta bëjmë Barcelonën sërish të madhe”, ndërsa tani gjithkush ka rënë në apati. Dhe të mendosh se barazimi 1-1 me Granadën pati ndjenjën e lehtësimit sepse të paktën u shmang humbja në sekondat e fundit nga goli me kokë i Arauhos. Vetëm 27 000 tifozë ishin në “Kamp Nou” nga 40 000 të lejuar sipas protokollit, dhe ata u larguan kokëulur. Barcelona duket si Partia Demokratike në Shqipëri ku të gjithë janë kundër të gjithëve, ndërsa Reali duket si fatlumi Rama, i cili fiton skedinën, pa e mbushur fare.

Sfidanti.al