Kur Zhoze Murinjo nisi të ulëriste kundër lojtarëve të tij dhe pastaj t’i shiste nëpër media, erdhi edhe fundi, siç ndodhi sidomos tek Mançester Junajtidi, por edhe tek Totenhemi. Nervat e njeriut janë një gjë e madhe, dhe ezaurimi i tyre nuk ndalet nëse shkaktohet nga shkaqe të forta, e duket se këtë fazë po e kalon edhe Masimiliano Alegri. Shumë më i dobësuar në fytyrë sesa 3 vjet më parë, në sezonin e fundit në stolin e Juventusit, tekniku i sotëm bardhezi duket se nuk ka shumë “karburant në serbator”, pra nuk i ka mbetur shumë rezervë psiqike për të përballuar hallet. Kjo u duk në shfrimin që pati në përfundim të ndeshjes Juve-Milan, ku ekipi i tij fillimisht dominoi e duhej të kishte fituar, por pastaj shpëtoi mirë pa humbur. “Ku… e derrit, – ulëriti Alegri ndërsa po shkonte në korridoret e stadiumit, – ju po luani për Juventusin”. Kjo vjen vetëm pak ditë pasi Xhorxho Kielini i tha trajnerit se “kjo nuk është skuadër” pas humbjes 0-1 me Empolin në Torino.
Sfidanti.al