“Verstapen dhe Hamilton mund të përplasen sërish këtë sezon”

Një alarm i vërtetë i ngritur nga shumëkush, dhe tani edhe nga presidenti i shoqatës së pilotëve të Formula 1, Aleks Vurc. Dy aksidente mes Maks Verstapenit dhe Ljuis Hamiltonit kanë ndodhur deri tani, në Silverston të Britanisë së Madhe dhe në Monza të Italisë, dhe ekziston rreziku për një të tretë. “Mendoj se është shumë e mundshme, – tha Vurci, – ndershmërisht e them. Ata duhet të kenë kujdes, “të shenjojnë territorin e tyre”. Kjo shprehje thuhet shpesh për kafshët e egra, që caktojnë kufijtë e territoreve të tyre për të mos u pëplasur, por Hamilton e Verstapen deri tani nuk janë rezervuar aspak. “Jashtë garave unë flas me të dy pilotët, dhe që të dy ata bisedojnë me njëri-tjetrin, e respektojnë njëri-tjetrin, por kur janë në pistë i rrëmben konkurrimi”, – vazhdoi Vurci. Verstapen kryeson renditjen e Botërorit me 5 pikë më shumë se Hamiltoni dhe Çmimi i madh i radhës është në Soçi të Rusisë këtë fundjavë.

Sfidanti.al