Mesi-gol dhe Mesi-asist. Ishte kjo formula e Barcelonës në “San Mamesin” e ri të Bilbaos, në suksesin e madh, por edhe me fat ndaj Atletikut. Fati tjetër e kishte emrin Andre Ter Shtegen dhe portieri gjerman bëri tri pritje të jashtëzakonshme ndaj sulmuesit kryesor vendas, Aduriz. Natyrisht, ishte gjithashtu fat që katalanasit luajtën në një stadium mik si ai i baskëve, pikërisht pasi parlamenti i tyre shpalli pavarësinë nga Spanja. Nuk mund të kishin gjetur fushë më aleate, sesa kjo e baskëve që e kanë kërkuar pavarësinë edhe me bomba, jo më me parlamente dhe demonstrata.
Me suksesin 2-0, skuadra e trajnerit Ernesto Valverde vazhdoi ecurinë e shkëlqyer në La Liga, duke iu përgjigjur menjëherë fitores 2-1 të Valencias në fushën e Alaveshit të De Biazit. Diferenca është 4 pikë, ndërsa Reali për momentin është 8 pikë prapa, me një ndeshje më pak. Valverde po pret me padurim rikthimin nga dëmtimi të Usman Dembelesë, si dhe blerjen e mundshme të Kutinjos në janar. Në një skuadër që po ecën kaq mirë, dy forca të tilla sulmuese dhe me fantazi do të ishin garanci më shumë për titullin kampion. Për momentin, Valverde po kënaqet me Mesin, Ter Shtegenin, por edhe Paulinjon që shënoi në “San Mames” dhe që arriti në 3 gola këtë kampionat.
Sfidanti.al