Barazimi i Dritës dhe fitorja e Shkëndijës, përfitime rekord nga UEFA

Drita siguroi një tjetër barazim në Ligën e Konferencës pas atij ndaj KuPS-i, teksa mbrëmjen e djeshme, ndali qipriotët e Omonias me rezultatin 1-1. Krahas pikës së fituar, Drita, në Kosovë do të arkëtojë 133 mijë euro. Pra barazimi në fazën e ligës në Ligën e Konferencës vlen 133 mijë euro, kurse fitorja vlen 400 mijë euro. Drita në fazën e ligës, do t’i zhvillojë edhe 4 ndeshje tjera, teksa deri tani vlera e arkëtuar vetëm në fazën e ligës shkon 266 mijë euro. Me paraqitjen në kualifikueset e Ligës së Konferencës, Drita i kishte të garantuara 3 milionë e 170 mijë euro nga UEFA, ndërkohë që ky bilanc pritet të rritet ndjeshëm në rast rezultatesh pozitive. Po sot, Shkëndija e Tetovës arriti një fitore historike në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, teksa mposhti Shelburn, duke marrë pikët e para në fazën në grupe të turneut ku janë debutues.

Do të ishte një autogol në minutën e 92-të, ai që do të vuloste fatin e takimit, duke bërë që të shpërthente festa e kuqezinjve për këtë triumf historik. Asnjë skuadër që ka përfaqësuar Maqedoninë e Veriut, në grupet e një kompeticioni Europian, nuk ka arritur të sigurojë një fitore, teksa këtë gjë e bëjnë kuqezinjtë nga Tetova. Fitorja në grupet e Ligës së Konferencës, vlen 400 mijë euro, një shifër kjo që do të arkëtohet nga klubi i Shkëndijës. Një bonus monetar i konsiderueshëm për klubin shqiptar, që po i bën krenarë të gjithë.

Sfidanti.al