Balliu lart e më lart në Spanjë, ndonëse në kombëtare pak e kanë “begenisur”!

Vlerësimin për sezonin e ka pasur që më parë, por tashmë ka hedhur një hap më shumë. Ivan Balliu u shpall lojtari më i mirë i muajit mars në ekipin e tij, Rajo Vajekano, diçka për të cilën u përgëzuar nga klubi në faqen zyrtare në Tuiter. Mbrojtësi i djathtë i kombëtares shqiptare po zhvillon një sezon shumë të mirë në La Ligën spanjolle, dhe suksesi i muajit të kaluar ishte një vlerësim për nivelin e treguar. Lojtari 30-vjeçar ka arritur edhe të shënojë gol, ndërsa ka shërbyer asistë për shokët, duke qenë titullar i përhershëm Mediat spanjolle shkruajnë se Balliu është një nga figurat kryesore këtë sezon për skuadrën e vogël madrilene, dhe se paraqitjet e tij shumë të mira e kanë rritur vlerën e kartonit deri në 5-6 milionë euro. Mbrojtësi i djathtë komenton përballjen e Shqipërisë me Spanjën, duke folur për televizionin e klubit, si dhe pyetet për ndeshjen e radhës në La Ligë në fushën e Granadës.

“Ishte diçka për të ndryshuar atmosferën, – tha Balliu, – provuam një sistem të ri, një lojë ndryshe ndaj një ekipi si Spanja, që kërkon maksimumin prej nesh. Është mirë kur luan ndaj ekipeve të tilla. Përsa i përket kampionatit, shpresoj që të arrijmë një fitore për të ndryshuar situatën. Më vjen keq që nuk po shënojmë gol sepse rastet i kemi krijuar. Jemi përgatitur që golat të vijnë”. Për fat të keq, kombëtarja shqiptare nuk e ka shfrytëzuar siç duhet një lojtar të tillë. Në moshën 30-vjeçare, Ivan Balliu ka luajtur vetëm 4 ndeshje me fanelën kuqezi, me rreth 190 minuta në fushë, diçka krejtësisht e pashpjegueshme, ndërsa nuk dihet nëse Shqipëria ka luksin të humbasë për kaq vite shërbimet e një lojtari të tillë.

Sfidanti.al