Nuk kuptohet mirë se cila është e keqja kaq e madhe për këtë skuadër. Los Anxhelos Lejkërsat patën të gjithë yjet në parket për herë të parë pas kaq javësh, por sërish kjo nuk i ndihmoi dhe pësuan një humbje që mund t’i kushtojë shtrenjët. Nju Orlins Pelikansët fituan në Kaliforni, 114-111, pas një dueli të fortë, dhe vendasve nuk u bëri punë që treshja e madhe Lebron Xhejms-Entoni Dejvis-Rasëll Uestbruk ishte këtë herë titullare. Nuk shmangu disfatën as forma shumë e mirë e Lebronit që shënoi 38 pikë, kapi 8 topa në tabela e shërbeu 4 asistë. Entoni Dejvis, i kthyer pas një dëmtimi të gjatë, shënoi 23 pikë, kapi 12 topa në tabela e dha 6 asistë, por asgjë nuk vlejti për të mposhtur një rival direkt për plej ofin.
Si ka mundësi që edhe me radhë të plota Lejkërsat nuk ia dalin? Një element ndihmon për të kuptuar pasi Lebroni e humbi topin plot 8 herë, diçka që i dha mundësi Nju Orlinsit për të shënuar kosha me më shumë lehtësi. Për miqtë u dalluan Mekkallëm me 32 pikë, Ingram me 29 dhe lituanezi Valanciunas me 17 pikë, 12 topa në tabela e 6 asistë. Me potencial të lartë në sulm, por me mbrojtje të dobët, të mbiquajturit Liqenasit rrezikojnë sepse janë në vendin e 11-të në Perëndim. Në fund, mrekullia nuk mundi të ndodhte. Xhejmsi gaboi gjuajtjen për tri pikë që mund ta kishte çuar duelin në shtesë, dhe Lejkërsat pësuan një disfatë që mund t’i lerë përfundimisht jashtë plej ofit, kur mbeten vetëm 4 ndeshje për t’u luajtur.
Sfidanti.al