Nuk mund të kishte nisje më domethënëse për Bundesligën sesa kjo. Një Bajern kampion që dominon, por që ndalet nga një sfidant, jo nga ata që ta mbushin syrin plotësisht. Herta e Berlinit mori një pikë të vuajtur në Mynih, ndërsa bavarezët u ndalën nga fati dhe problemet e tyre në “Fortesën” “Alianc Arena”. Mos do të thotë kjo se sezoni mund të jetë i mallkuar për “korracatën” e drejtuar nga Niko Kovaç, dhe për klubin e udhëhequr nga “kolosët” Uli Hënes e Karl-Hajnc Rumenige?
Përfundimi ishte 2-2, me avantazh të vendasve të siguruar nga Robert Levandovski, por me reagimin e berlinezëve që përmbysën shifrat që në pjesën e parë. Lukebakio e Grujiç shënuan para pushimit, dhe u desh një penallti e dhënë pas VAR-it, që Levandovski të barazonte përfundimisht. Nuk është fundi i botës, por një rezultat aspak i mirë, dhe që rrit presionin mbi Kovaçin dhe të besuarit e tij, të cilët presin ardhjen e Kutinjos për të rritur potencialin e skuadrës.
Bajerni mbajti topin 71 për qind, pati kornet në favor 12-0, realizoi 660 pasime ndaj më pak se 280 të miqve, ndërsa gjuajtjet drejt portës ishin 17-6 po për kampionët. Gjithsesi, Herta u përgjigj me zemër, dhe jo më kot kryeqytetasit vrapuan plot 120 km ndaj më pak se 115 të vendasve.
Sfidanti.al