Me kapitenin në shtëpi, me Kutinjon në tribunë, me Suarezin të dëmtuar që në pjesën e parë, dhe me Grizmanin që (siç titullon “Marka”) “nuk ka zbritur ende në Barcelonë”, është e pamundur të fitohet një ndeshje. Aq më pak, kur ajo luhet në stadiumin e frikshëm dhe të ri “San Mames” në Bilbao, ndaj Atletikut vendas. Një supergol i superveteranit Ariz Aduriz i dha fitoren minimale baskëve në minutën e 89-të.
Gjithsesi, dihej që më parë, se Barça e Valverdes e ka të vështirë, madje nuk fiton dot pa Mesin. Ylli numër 1 i botës ndodh që nuk mjafton as kur është në fushë, siç ishte rasti i eleminimit në Champions nga Liverpuli, ndërsa katalanasit e kanë edhe më të vështirë, kur argjentinasi nuk është në fushë. Kjo, edhe pse formacioni ishte impresionues: Ter Shtegen – Semedo, Pike, Lengle, Zhordi Alba – Perez, De Jong, Rakitiç – Dembele, Rafinja, Grizman.
Bilbao ishte më lart në pjesën e parë, duke bërë presion të madh e duke u ndalur nga Ter Shtegen. Kampionët e Spanjës edhe ashtu ia dolën të ishin të rrezikshëm dhe goditën dy herë shtyllat, me Suarezin dhe Rafinjën. Pas pushimit, Barça ndryshoi mjaft dhe krijoi disa raste për shënim, por nuk ia doli. Suarez kishte dalë nga loja që në pjesën e parë, Grizman nuk u duk fare, ndërsa më i miri në fushë për miqtë ishte Ter Shtegen. Një humbje që mund të paralajmërojë sezon të vështirë, por për fat Reali duket më keq.
Sfidanti.al