Roma s’ka të ndalur, rinovim për Xhekon, Zaniolon dhe Underin

Goditja e parë mund të quhet e madhe. Edin Xheko jepej si “trofe” i fituar tashmë nga Interi, por ja që “rrufeja në qiell të pastër” është rinovimi me Romën. “Kjo është shtëpia ime dhe këtu ekziston gjithçka për të fituar”, – ishin fjalët e sulmuesit boshnjak pas rinovimin. “Një sulmues i madh”, – ishte edhe komplimenti i legjendës Françesko Toti. Kontrata e re vlen deri në 2022, me një rrogë vjetore 3 milionë euro, plus shpërblimet. Dy ishin njerëzit vendimtarë, gruaja Amra (që e largoi edhe nga Çelsi) si dhe trajneri Fonseka.

Roma pati edhe rinovime të tjera. Shumë i rëndësishëm ai i “margaritarit” të shtëpisë, Nikolò Zaniolo, tashmë 20 vjeç. Kontratë e re edhe për sulmuesin e ri turk, Xhengiz Ynder. Lojtari i krahut të djathtë u desh fort nga trajneri, duke u hedhur poshtë interesimi i Bajernit dhe Monakos, ndërsa rroga i dyfishohet, në 2 milionë euro plus shpërblimet. Vjen edhe turku tjetër, Mert Çetin, për 3 milionë euro nga Gençlerbirligi, ndërsa akordi me Liverpulin për Dejan Lovrenin nuk u arrit.

Sfidanti.al